Privatizimi i pronës shtetërore, si mund ta blejnë pronën investitorët me kontratë 1 euro
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka ndryshuar procedurat për vlerësimin, privatizimin, transformimin dhe shitjen e pronës shtetërore.

Janë vendosur rregulla të posaçme edhe për investitorët që kanë marrë pasuri shtetërore me qira ose enfiteozë përmes kontratave simbolike “1 euro”. Në kushte të caktuara, këto subjekte mund të kërkojnë blerjen e pronës.
Ndryshimet janë përcaktuar me udhëzimin nr. 7, datë 1 shtator 2026, që ndryshon udhëzimin nr. 5222 të vitit 2015 për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 926/2014 mbi kriteret e vlerësimit dhe privatizimit të pronës shtetërore. Mes ndryshimeve, termi “pronë publike” zëvendësohet me “pronë shtetërore”, ndërsa krahas qirasë përfshihet shprehimisht edhe enfiteoza.
Procedura e privatizimit nis me kërkesën që institucionet qendrore ose organet e vetëqeverisjes vendore i dërgojnë Ministrisë së Ekonomisë për pronat shtetërore që kanë në administrim ose pronësi. Më pas, ministri përgjegjës për ekonominë nxjerr urdhrin për fillimin e procedurës. Kur Ministria kërkon një prononcim për privatizimin e një pasurie, institucioni përkatës ka 30 ditë për t'u përgjigjur dhe, nëse është kundër, duhet të argumentojë arsyet.
Investimi duhet të jetë mbi 5 milionë euro dhe mbi 750 për qind të vlerës së pronës
Ndryshimi me interes të drejtpërdrejtë për bizneset lidhet me pronat shtetërore të marra më parë me kontratën simbolike “1 euro”. Sipas udhëzimit, subjektet qiramarrëse ose enfiteozëmarrëse të pasurive shtetërore me sipërfaqe mbi 500 metra katrorë mund të kërkojnë blerjen e tyre, por vetëm nëse plotësojnë disa kushte.
Prona nuk duhet të bëjë pjesë në kategorinë e pasurive shtetërore të patjetërsueshme. Investitori duhet gjithashtu të ketë realizuar, brenda afatit të përcaktuar në kontratë, investime me vlerë mbi 5 milionë euro. Njëkohësisht, investimi i realizuar duhet të jetë më i lartë se 750 për qind e vlerës së pronës shtetërore që kërkohet të blihet.
Kjo do të thotë se, nëse prona shtetërore vlerësohet në 1 milion euro, investitori duhet të ketë realizuar një investim mbi 7.5 milionë euro. Përmbushja e kushteve duhet të provohet përmes dokumentacionit kontraktor, financiar dhe teknik që vërteton realizimin dhe vlerën e investimit, si dhe dokumenteve që përcaktojnë vlerën e pronës.
Prona nuk mund të tjetërsohet pa përfunduar investimi
Edhe nëse prona privatizohet, investitori nuk çlirohet nga detyrimet e marra me kontratën e mëparshme të qirasë ose enfiteozës. Në kontratën e shitjes duhet të përfshihet detyrimi që blerësi të realizojë të gjithë vlerën e investimit të parashikuar në planbiznes, brenda afatit të kontratës së mëparshme. Ky detyrim do të pasqyrohet si kufizim edhe në kartelën e pasurisë.
Blerësi nuk mund ta tjetërsojë pronën te persona të tretë deri në realizimin e plotë të investimit. Ndalimi regjistrohet në regjistrin kadastral si hipotekë ligjore. Megjithatë, kufizimi nuk pengon zhvillimin e pronës sipas projektit të miratuar dhe as lidhjen e kontratave të sipërmarrjes ose porosisë për objektet që ndërtohen mbi të.
Nëse blerësi nuk realizon investimin sipas kushteve dhe afateve të kontratës së mëparshme të qirasë ose enfiteozës, Ministria ka të drejtë të zgjidhë në mënyrë të njëanshme kontratën e shitjes. Në këtë rast, prona rikthehet në pronësi të shtetit, ndërsa shteti ka të drejtë të mbajë shumën që investitori kishte paguar për blerjen e saj.
Vetëm pasi investimi të jetë realizuar në vlerën dhe afatin e përcaktuar, blerësi njofton Ministrinë e Ekonomisë dhe paraqet aktin e vlerësimit që provon përmbushjen e detyrimit.
Ndryshon edhe komisioni i vlerësimit
Udhëzimi ndryshon edhe përbërjen e komisionit që kryen vlerësimin e pronës shtetërore. Komisioni ngrihet nga ministri përgjegjës për ekonominë dhe përbëhet nga tre anëtarë: një përfaqësues i strukturës përgjegjëse për privatizimin, një ekspert vlerësues i licencuar dhe një përfaqësues i ndërmarrjes ose institucionit që administron apo zotëron pronën. Në varësi të procesit, ministri mund të përfshijë edhe një auditues ose ekspertë të tjerë të licencuar.
Rregulla të reja vendosen edhe për privatizimin përmes shkëmbimit të pronave shtetërore. Kërkesa për shkëmbim mund të paraqitet vetëm nga institucionet qendrore, organet e vetëqeverisjes vendore dhe ndërmarrjet shtetërore në varësi të tyre, që e kanë pasurinë në administrim, pronësi ose përdorim.
Pas marrjes së kërkesës, struktura përgjegjëse për privatizimin e shqyrton atë dhe i propozon ministrit miratimin ose refuzimin. Ministria duhet të marrë vendim brenda 60 ditëve nga paraqitja e kërkesës.
Burimi: ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)